Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë tonë si Qendra Europiane lidhet me proçesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, veçanërisht çështjet që lidhen me energjinë, mjedisin dhe ndryshimet klimatike. Grupkapitulli 4, i cili ndër të tjera, përfshin kapitullin 15 (Energjia) dhe kapitullin 27 (Mjedisi dhe Ndryshimet klimatike), u hap në Shtator 2025 dhe përbëjnë një nga fushat më komplekse të negociatave të anëtarësimit dhe ku kërkohet investime të mëdha.
Në këtë kuadër, qendra jonë zhvillon studime dhe analiza të politikave publike në fushën e efiçencës energjetike, përdorimit të qëndrueshëm të burimeve dhe uljes së ndikimit në mjedis. Përmes kërkimeve, vlerësimeve dhe rekomandimeve të bazuara në të dhëna, kontribuojmë në promovimin e praktikave që mbështesin tranzicionin e gjelbër dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Gjithashtu, ofrojmë asistencë teknike dhe këshillim për bizneset, familjet dhe aktorë të tjerë të interesuar në vlerësimin e kostove, përfitimeve dhe sfidave që lidhen me harmonizimin e legjislacionit shqiptar në fushën e energjisë dhe mjedisit me acquis të Bashkimit Europian. Puna jonë synon të ndihmojë palët e interesuara të kuptojnë dhe të përshtaten me kërkesat e reja rregullatore, duke ulur kostot dhe rritur mundësitë që sjell procesi i integrimit europian.