Mbrëmja Gala – Së Bashku Kundër Dhunës
Qendra Europiane si një organizatë aktive në mbrojtje të të drejtave të njeriut prej 25 vitesh, mori iniciativën për të organizuar mbrëmjen gala “Së Bashku Kundër Dhunës”, e cila u mbajt në 6 dhjetor 2023, gjatë fushatës “16 Ditë Aktivizëm Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”. Qëllimi kryesor i kësaj mbrëmjeje ishte mbledhja e fondeve për mbështetjen e tri prej strehëzave që ofrojnë shërbime direkte për gra dhe vajza të dhunuara: Qendra Psiko-Sociale “Vatra”; Qendra “Të ndryshëm dhe të barabartë” dhe Organizata “Tjetër Vizion”.
Ky event u mbështet 100% nga sektori privat, e konkretisht nga: Pro Credit Bank, Fondacioni Credins, Megapharma, Proche Albania, Kastrati, ASL Construction, Atlantik, Iliria98, Mielli Prima, Amarcord Wine, Qafshtama, Fondacioni Kalo Art, AK Partners dhe Oval.al, të cilët ishin shumë të gatshëm të ishin krahu i djathtë i organizatës në zhvillimin e kësaj mbrëmjeje.
Programi i aktivitetit u mbështet nga kontributi i çmuar i artistëve tanë të shkërqyer, të cilët performuan falas në mbështetje të kauzës: znj. Mariana Leka-soprano, znj. Merita Rexha-pianiste, znj. Lirza Zaloshnja-violinë, z. Denis Bizhga-kitare, Akustika Band dhe DJ Lura.
Mbrëmja u çel me fjalën e mirëseardhjes dhe me falenderimin e të gjithë pjesëmarrësve, që me dëshirën e mirë dhanë kontributin e tyre për gratë dhe vajzat. Përfaqësues nga të 3 strehëzat përfituese adresuan një fjalë për të gjithë mbështetësit e kësaj nisme. Gjithashtu, mesazhe të rëndësishme në këtë u dhanë nga:
z. Taulant Balla – Ministër i i Brendshëm, në fjalën e tij vërejti se evente të tilla kanë kontribut real në këtë kauzë, e cila për fat të keq është shumë prezente. Qasja e Policisë së Shtetit duhet të ndryshoj ndaj këtij fenomeni, pasi reagimi i Policisë në disa raste nuk ka qenë konform ligjit me qëllim për të mbështetur dhe mbrojtur viktimat e dhunës me bazë gjinore. Ka ardhur koha që kjo çështje të ngrihet në një nivel tjetër. Të gjithë aktorët duhet të punojnë në mënyrë sistematike për të evidentuar rastet e dhunës dhe vendosur përpara përgjegjësisë autorët.
z. Ulsi Manja – Ministër i Drejtësisë, falenderoi organizatat e shoqërisë civile, që punojnë direkt me viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje pasi i japin zë dhe shpresë për ndryshim këtyre personave, veçanërisht në shoqëritë si kjo e jona. Ministri përmendi se numri i çështjeve gjyqësore, që adresojnë këtë fenomen është rritur dhe kjo nuk tregon domosdoshmërisht, që rastet janë rritur por është bërë punë në ndërgjegjësim për të raportuar, lufta ndaj këtij fenomeni duhet të vazhdojë.
Znj. Edina Kozma – zëvendës përfaqësuese e UNICEF Shqipëri – theksoi se rastet e dhunës me bazë gjinore dhe abuzimit janë shokuese. Fatkeqësisht këto raste ndodhin, por ne duhet të marrim masa të ri-integrojmë viktimat dhe ndëshkojmë autorët. Shërbimet si ndihma ligjore, këshillim psikologjik, terapia e traumës, siguria e strehëzave dhe fuqizimi ekonomik shpëtojnë jetën e grave, vajzave dhe familjeve të tyre. Strehëzat kanë detyra mjaft të rëndësishme dhe sfiduese një herë që pranojnë të akomodojnë këto viktima. Znj. Kozma theksoi angazhimin e UNICEF në këtë fushë për të zhdukur dhunën me bazë gjinore dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë. Lufta kundër dhunës me bazë gjinore duhet të bëhet sëbashku.
z. Michele Ribotta – përfaqësues i UN Women Shqipëri, çdo formë mbështetjeje për aktorët që japin shërbime për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore është shumë i rëndësishëm. Ka ende shumë punë për tu bërë. Shërbimet janë kryesore, por ne duhet gjithashtu të punojmë fort me burrat. Ndonjëherë, edhe prindërit bëjnë gabime gjatë kohës kur rrisin djemtë e tyre ndaj duhet të jemi tepër të kujdesshëm.
Znj. Keti Luarasi – nën kryetare e Bashkisë Tiranë, theksoi rëndësinë e bashkimit të kaq shumë aktorëve për kauzën e dhunës me bazë gjinore. Ajo theksoi punën e mekanizmit referues të dhunës me bazë gjinore dhe numri i sinjalizimeve për 2023 ka qenë tepër i lartë krahasuar me 2022 dhe 2021. Megjithatë, ky numër mund të jetë rritur për shkak të rritjes së ndërgjegjësimit. Këto raste duhet të minimizohen duke bashkëpunuar të gjithë aktorët. Punësimi i të mbijetuarave në biznese në Tiranë është një arritje e madhe që duhet theksuar për fuqizimin e këtyre personave. Puna e Bashkisë në këtë sektor dhet të vazhdojë.
Gjatë mbrëmjes u zhvillua dhe një ankand me tri piktura të dhurura nga Galeria Kalo Art dhe znj. Ema Bregu, në kuadër të kauzës. Ankadi u moderua nga z. Ardian Isufi dekan i Akademisë së Arteve.
Pjesë tepër interesante e këtij eventi ishin performacat artistike të bëra nga disa prej pjesëmarrësve, të cilët kënduan këngë me mesazh sensibilizues në lidhje me temën qëndrore të mbrëmjes.
Duke falenderuar të gjithë pjesëmarrësit dhe bizneset shqiptare për mbështetjen, jemi të nderuar t’ju komunikojmë se shuma e mbledhur gjatë kësaj mbrëmjeje ishte 1,060,500 ALL.
Secilës strehëz iu transferua një shumë e barabartë prej 353,500 ALL.
NE NUK MUND TË BËJMË GJËRA TË MËDHA, POR MUND TË BËJMË GJËRA TË VOGLA ME DASHURI TË MADHE! – Nënë Tereza